Belgjika triumfon 2-0 ndaj Rumanisë në EURO 2024, Fitorja e parë për skuadrën e Tedesco-s

Belgjika regjistroi fitoren e parë në EURO 2024, duke mundur Rumaninë me rezultatin 2-0 në ndeshjen e dytë të Grupit E. Nën drejtimin e trajnerit Domenico Tedesco, belgët dominuan gjithë ndeshjen, duke mbajtur ritmin dhe kërcënuar vazhdimisht portën rumune. Rumania, nga ana tjetër, nuk arriti të përfitonte nga motivimi pas fitores së parë ndaj Ukrainës.

Ndeshja filloi vrullshëm për Belgjikën, me Youri Tielemans që shënoi që në minutën e dytë, duke tundur rrjetën e portierit Florin Niță. Ky gol ndryshoi dinamiken e ndeshjes, me Belgjikën që vazhdoi të krijonte raste të rrezikshme, por mungesa e saktësisë bëri që pjesa e parë të përfundonte 1-0.

Në pjesën e dytë, Rumania u përpoq të krijonte mundësi për barazim, por portieri belg Koen Casteels ishte i pakalueshëm. Belgjika shënoi përsëri në minutën e 64-të me Romelu Lukakun, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Megjithatë, kjo nuk ndikoi në performancën e belgëve, të cilët vazhduan të kërkonin golin e dytë.

Ky erdhi në minutën e 80-të nga kapiteni Kevin De Bruyne, i cili shënoi pas një pasimi nga Casteels, duke realizuar golin e tij të 28-të me kombëtaren belge. Në fund, rezultati 2-0 ngjiti Belgjikën në kuotën e tri pikëve, por në vendin e dytë për shkak të golavarazhit, me Rumaninë që kryeson Grupin E, ndërsa Sllovakia dhe Ukraina gjithashtu kanë nga tri pikë secila.
Postimi kaluar Postimi tjetër