Ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj lihet në burg nga GJKKO për skemë korrupsioni me fondet e SASPAC

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka lënë në burg ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe bashkëpunëtorin e tij, Ermal Kurtulaj, nën dyshimin për përfshirje në një skemë korrupsioni me fondet e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj (SASPAC). Ndërkohë, Alfred Nikolla është lënë në arrest shtëpiak.

Beqaj, i cili ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar lirimin me garanci pasurore prej 50 mijë eurosh, u akuzua për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, “Mashtrim” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të gjitha kryer në bashkëpunim.

Ermal Kurtulaj po ashtu përballet me akuzat për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë publikë”, “Mashtrim” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.

Nga ana tjetër, Alfred Nikolla, fillimisht i akuzuar për “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publikë” dhe “Mashtrim”, do të qëndrojë në arrest shtëpiak. 

Vendimi gjithashtu përfshin masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” për Elton Marinin, i cili akuzohet për “Mashtrim” me pasoja të rënda, si dhe detyrimin për paraqitje në policinë gjyqësore për Bledar Lekën dhe Bjona Ziajn, të dyshuar për “Mashtrim” kryer në bashkëpunim.

Gjykata ka urdhëruar ekzekutimin e këtyre masave nga Prokuroria e Posaçme dhe shërbimet e policisë gjyqësore, me të drejtën për të bërë ankim në Gjykatën e Apelit brenda 5 ditëve nga komunikimi i vendimit.
Postimi kaluar Postimi tjetër