Berisha bën thirrje për protestë kombëtare: "Shqipëria ka nevojë për mbrojtje nga bijtë dhe bijat e saj"

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga dritarja e banesës së tij, teksa ndodhet nën masën e “arrest në shtëpi” që prej dhjetorit të vitit të kaluar, i ka bërë thirrje qytetarëve të bëhen pjesë e protestës kombëtare të thirrur nga opozita, e cila do të mbahet më 11 korrik përballë Kryeministrisë, në orën 20:00.

Gjatë fjalimit të tij, Berisha u shpreh se sipas të dhënave të Eurostat, nga vendi ynë janë larguar të paktën 37.8% e popullsisë. Ai shtoi se nëse kësaj vlere i shtohen shqiptarët e larguar për në Lindjen e Mesme, Norvegji, Zvicër, Kanada, Australi dhe vende të tjera, shifra arrin në 40%. Ish-kryeministri tha se Shqipëria ka nevojë për mbrojtje nga ‘bijtë dhe bijat e saj’, duke dhënë një mesazh të qartë për bashkimin e çdo qytetari në protestën e javës së ardhshme.

Fjala e Berishës:

"Miqtë e mi, kanë kaluar 34 vjet nga ajo ditë dhe mësimi më i madh prej asaj dite është se para guximit të të rinjve shqiptarë nuk ka mur, barrierë, apo forcë në botë që mund të rezistojë. Ndaj ajo ditë e kryengritjes paqësore të të rinjve të Tiranës le të jetë një ditë frymëzimi për të rinjtë e sotëm dhe për të gjithë shqiptarët. Të ngrihemi në një betejë kundër këtij regjimi, i cili në mënyrën më të pamëshirshme dhe më antishqiptare po boshatis Shqipërinë. Po kryen gjenocid me largimin e shqiptarëve në kushte të llogaritura.

Shqipëria sot, më shumë se kurrë, ka nevojë të mbrohet nga bijtë dhe bijat e saj. Shqipëria sot, më shumë se kurrë, ka nevojë të kthehet shpresa në tokën e saj. Miqtë e mi, nga viti 2014 deri në vitin 2022, sipas Eurostat, statistikave britanike dhe të SHBA, nga Shqipëria janë larguar 37.8% e shqiptarëve. Nëse i shtojmë kësaj shifre shqiptarët e larguar për në Lindjen e Mesme, Norvegji, Zvicër, Kanada, Australi dhe vende të tjera, kjo shkon në 40%. Kjo është një boshatisje e tmerrshme e kombit. Ky është shkatërrim me shpejtësi të rrufeshme. Ndaj, o sot o kurrë, t’i dalim zot këtij vendi. Me 11 korrik, të gjithë në Tiranë, ku jemi e nuk jemi, në betejë me narkoshtetin."
Postimi kaluar Postimi tjetër