Liderët e BE-së mblidhen në Bruksel për të diskutuar pozitat drejtuese dhe agjendën strategjike

Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) do të mblidhen të enjten në Bruksel për një samit dyditor. Temat kryesore të këtij samiti do të jenë shpërndarja e pozitave kyçe drejtuese në institucionet e bllokut, agjenda strategjike për pesë vitet e ardhshme, si dhe çështjet e Ukrainës dhe Lindjes së Mesme.

Në këtë samit, udhëheqësit duhet të emërojnë presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri. Gjithashtu, do të duhet të bien dakord për emrin e presidentit të ardhshëm të Këshillit Evropian dhe presidentit të Parlamentit Evropian. 


Negociatorët nga Partia Popullore Evropiane (EPP), Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), dhe Liberalët (Renew) kanë arritur një marrëveshje për pozitat e larta në bllok. Sipas kësaj marrëveshjeje, Ursula von der Leyen do të marrë një mandat të dytë në krye të Komisionit Evropian. Antonio Costa pritet të jetë president i Këshillit Evropian, ndërsa Kaja Kallas do të zëvendësojë Josep Borrell në udhëheqjen e politikës së jashtme të bllokut. Roberta Metsola do të mbetet presidente e Parlamentit Evropian për dy vitet e ardhshme.


Megjithatë, marrëveshja është kritikuar nga disa liderë, përfshirë kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, të cilët theksojnë se marrëveshja nuk respekton vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet evropiane dhe se përfaqësuesit e lartë të BE-së duhet të përfaqësojnë të gjitha shtetet anëtare.


Në samitin dyditor, krerët e BE-së do të miratojnë gjithashtu një program strategjik për veprimet e BE-së në pesë vitet e ardhshme dhe do të diskutojnë mbi mbështetjen për Ukrainën dhe Moldavinë në procesin e tyre të pranimit në BE, si dhe për Malin e Zi. Për sa i përket Lindjes së Mesme, pritet që liderët e BE-së të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të kërkojnë armëpushim në Gazë dhe shtimin e ndihmave humanitare.

Postimi kaluar Postimi tjetër