Gjykata kushtetuese e Kosovës shpall të pavlefshëm ligjin për byronë e pasurisë së pajustifikueshme, miraton ligjin për paga minimale

Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli të pavlefshëm ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe konfirmoi ligjshmërinë e ligjit për pagën minimale. Vendimet u morën pas shqyrtimit të kërkesave nga partitë opozitare: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

AAK kishte kërkuar shqyrtimin e ligjit për pagën minimale, ndërsa PDK kishte kontestuar ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Gjykata Kushtetuese gjeti katër nene të ligjit për Byronë që bien ndesh me Kushtetutën, duke shpallur të pavlefshëm të gjithë ligjin derisa të bëhen ndryshimet e kërkuara nga Parlamenti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kritikoi vendimin dhe e akuzoi PDK-në për bllokim të reformave në drejtësi, duke argumentuar se ligji ishte hartuar sipas standardeve të BE-së dhe rekomandimeve të Komisionit të Venedikut.

Në anën tjetër, vendimi për ligjin e pagës minimale u mirëprit nga disa segmente të shoqërisë, ndërsa Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së reagoi negativisht, duke njoftuar për vazhdimin e protestave. Sipas ligjit të ri, paga minimale do të rritet në 264 euro, ndërsa pensioni i veteranëve do të mbetet 170 euro, për shkak të ndërlidhjes me ligjin për veteranët të vitit 2017. Gjykata sqaroi se ndërlidhshmëria e pensioneve me pagën minimale nuk ishte çështje e ligjit të kontestuar, por e ligjit të mëparshëm për veteranët.

Ligji i ri për pagën minimale kërkon nënshkrimin e presidentes Vjosa Osmani dhe publikimin në gazetën zyrtare për të hyrë në fuqi.
Postimi kaluar Postimi tjetër