Timo Flloko publikon poezi emocionuese në nder të Ismail Kadaresë

Aktori i mirënjohur, Timo Flloko, ka publikuar një poezi të realizuar prej tij në nder të shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë në moshën 88-vjeçare. Poezinë e tij, Flloko e ka shoqëruar me një fotografi ku shfaqet përkrah shkrimtarit në një nga takimet e tyre private.

Në vargjet e tij kushtuar Kadaresë, Flloko e nis poezinë me dhembjen e madhe që la për vendin ikja e gjeniut të letrave shqipe.

KADARE (Requiem)

Nga Timo Flloko

E piva kafen e helmët pa ty, këtë mëngjes,  
Dhembjen, fillikat, me kë ta ndaja,  
Chateau Juvenilja tek e shoh më ngjan,  
Më shkretëtirë se Saharaja…

Ike heshtjes si gjigant, i menduar,  
(Bëre vallë pakt të fshehtë me ikjen?!)  
Le bosh pas vetes, në mijëra zemra,  
Zbrazëti pa skaj, apokaliptike…

(Pse vijnë gjenitë dhe ikin nga kjo botë..?!)  
Ikja jote është shtegtim qiellor,  
Vdekjen s’mund as ta imagjinoj dot!

Mortin s’mund ta marr as me mend..  
Një zog erdh’ a m’u faneps  
Fluturimin ndali, u ul në vendin tënd,

(Të ish hij’ e Nobelit ai udhëhumbës,  
Me pendesën në vete, një gjasë aq e rrallë,  
U nis por mbërriti vonë, nga erërat që frynin,  
Korb u bë nga mërzia, se s’të gjeti gjallë…)

U përmenda në fund, humbës në atë bosh,  
Hodha sytë në qiell, përtej, te e panjohura,  
Me pafundësinë u shkri, atje përjetshëm,  
Shpirti yt shtegtar që kapërcen kohërat.
Postimi kaluar Postimi tjetër