Klaus Gjasula: Protagonist absolut në ndeshjen Kroaci-Shqipëri me gol dhe autogol

Klaus Gjasula ishte padyshim protagonisti i sfidës Kroaci-Shqipëri. Mesfushori kuqezi, praktikisht arriti t’i bënte të gjitha, duke realizuar dy gola, në të dyja portat. Fillimisht, Gjasula devijoi në mënyrë të gabuar në portën tonë, duke i dhënë avantazhin kroatëve. Por në fund të sfidës, me një të majtë të kalibruar, gjeti cepin e portës kundërshtare, duke i dhënë një pikë kombëtares sonë.

I futur në fushën e lojës nga trajneri Sylvinho vetëm në minutën e 72-të të sfidës, Gjasula do të hyjë në histori si i pari futbollist që, i hedhur në fushën e lojës nga stoli, realizon gol dhe autogol brenda të njëjtës sfidë. Askush më parë nuk kishte arritur diçka të tillë.

Kjo ndeshje do të mbetet gjatë në kujtesën e Klaus Gjasulës. Kujtojmë gjithashtu se Shqipëria ka realizuar edhe golin më të shpejtë të Europianit, atë të Bajramit ndaj Italisë për 23 sekonda.
Postimi kaluar Postimi tjetër