Presidenti Begaj zhvillon takim me Kryetarin e Parë të Bashkisë së Hamburgut për të forcuar bashkëpunimin dhe integrimin evropian të Shqipërisë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u prit sot në një takim nga Kryetari i Parë i Bashkisë së Hamburgut, z. Peter Tschentscher. Takimi u vlerësua nga Presidenti Begaj si një sinjal pozitiv, që evidenton interesin për rritjen e nivelit të dialogut politik me Landin e Hamburgut, si dhe zgjerimin e mundësive të reja të bashkëpunimit. Presidenti vlerësoi marrëdhëniet e Shqipërisë me Landet e Republikës Federale të Gjermanisë, si Bavaria, North Rhine-Westphalia dhe tani me Hamburgun.

Gjatë bisedës, të dyja palët vlerësuan mbështetjen që Gjermania dhe Landet e veçanta tregojnë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. U nënvizua nevoja e shtimit të kontakteve dhe vizitave të ndërsjella, përfshirë shkëmbimin e vizitave ndërparlamentare me Parlamentin e Hamburgut dhe midis ministrive të ndryshme. Presidenti Begaj ftoi z. Tschentscher për një vizitë në Shqipëri për të diskutuar projekte konkrete të bashkëpunimit.

Fushat e bashkëpunimit të nënvizuara përfshijnë: tërheqjen e investimeve nga Hamburgu, arsimin profesional, transportin detar dhe portin e ri të Durrësit, smart city, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, binjakëzimin me qytete shqiptare, etj.

U diskutua gjithashtu për integrimin e komunitetit shqiptar në Hamburg dhe ndihmën e dhënë nga bashkia për shoqatat që nxisin mësimin e gjuhës amtare për fëmijët shqiptarë. Në takim, Presidenti i Republikës u shoqërua nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë, znj. Adia Sakiqi, Ministri i Brendshëm, z. Taulant Balla, dhe deputeti Ferdinand Xhaferri.
Postimi kaluar Postimi tjetër