Bardhi: Shqipërisë i duhet një PD e fortë, Berisha zgjedhja më e mirë krahasuar me Ramën

Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PD), në një intervistë në emisionin “Open” në News24, theksoi nevojën për një PD të fortë që të ngjallë besim tek qytetarët shqiptarë. Ai vuri në dukje rëndësinë e një ekipi të fuqishëm fushate dhe një kandidati për Kryeministër që të mos përjashtojë askënd.

Bardhi deklaroi se, nëse do të zgjidhej mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, ai do t’u rekomandonte shqiptarëve që të zgjidhnin Berishën, pavarësisht gabimeve të tij të mëparshme. Ai argumentoi se Berisha qëndroi në pushtet për aq kohë sa ishte i votuar nga shumica e shqiptarëve, ndërsa Edi Rama mbajti pushtetin përmes marrëveshjeve me banda kriminale. Bardhi përmendi shembullin e Arben Ndokës, i cili sipas tij, kontribuoi në fushatën e Ramës në Lezhë, duke ilustruar akuzat e tij për lidhjet e Ramës me krimin.

Ai theksoi se PD nuk ka asnjë lidhje me krimin e organizuar dhe se kjo është një arritje e madhe për opozitën. “Nuk kemi asnjë lidhje me krimin e organizuar, as do të kemi ndonjë lidhje të tillë”, përfundoi Bardhi.
Postimi kaluar Postimi tjetër