Xi Jinping bën thirrje për negociata Ruso-Ukrainase gjatë takimit me Viktor Orban

Presidenti kinez Xi Jinping ka bërë thirrje fuqive botërore të ndihmojnë në rifillimin e negociatave të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës. Këto komente ai i bëri të hënën gjatë një takimi me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i cili vizitoi Kinën pas udhëtimeve të ngjashme në Rusi dhe Ukrainë për të diskutuar një zgjidhje paqësore për luftën në Ukrainë.

Sipas televizionit shtetëror kinez CCTV, kryeministri Orban vlerësoi nismat e Kinës për paqe dhe e përshkroi Pekinin si një forcë stabilizuese. Orban theksoi se përfundimi i luftës varet nga vendimi i Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Kinës.

Kryeministri Orban u takua me presidentin Xi dy muaj më parë gjatë një turneu evropian që përfshinte ndalesa në Francë dhe Serbi. Nën udhëheqjen e Orbanit, Hungaria ka krijuar lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me Kinën, duke përfshirë investime në prodhimin e baterive për makinat elektrike.

Në një postim në Facebook, Orban e quajti vizitën e tij në Pekin "Misioni i Paqes 3.0". Vizita e tij pasoi udhëtime të ngjashme në Moskë dhe Kiev, ku ai propozoi një armëpushim të menjëhershëm midis Rusisë dhe Ukrainës.

Vizita e Orbanit në Moskë u kritikua nga Kievi dhe udhëheqësit evropianë. Ai theksoi se Hungaria është një nga vendet e pakta që mund të bisedojë me të dyja palët ndërluftuese dhe sugjeroi që ai shkoi në Moskë si një përfaqësues i lartë i BE-së. Megjithatë, zyrtarët evropianë hodhën poshtë këtë sugjerim, duke theksuar se Orban nuk kishte mandat për të përfaqësuar BE-në.

Orban, i cili konsiderohet si lideri me marrëdhëniet më të ngrohta me Putinin në BE, ka bllokuar ose zbutur përpjekjet e BE-së për të ndihmuar Ukrainën dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Kjo ka nervozuar aleatët e Hungarisë në BE dhe NATO, të cilët i konsiderojnë veprimet e Rusisë si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një kërcënim për sigurinë evropiane.
Postimi kaluar Postimi tjetër