Skandal në Onkologji: Mjekja Alketa Pere mohon akuzat, kërkon hetim për spitalet private

Reagimi i Mjekes Alketa Pere për Akuzat e Prokurorisë së Tiranës

Mjekja e Spitalit të Onkologjikut, Alketa Pere, e cila është në hetim nga Prokuroria e Tiranës së bashku me gjashtë kolegë të saj, ka reaguar për herë të parë në lidhje me akuzat. Ajo ka deklaruar se kurrë në jetën e saj nuk ka dërguar pacientë me kancer tek privati dhe ka shtuar se duhet të hetohen të gjitha spitalet private për aktivitetin e tyre.

"Kurrë në jetën time nuk e kam bërë këtë gjë, jam doktoreshë Alketa Pere dhe kurrë në jetën time nuk e kam bërë që pacienti të shkojë në spital privat. Pacienti me kancer duhet të trajtohet në spitalin Onkologjik. Duhet të hetohen të gjitha spitalet private për aktivitetin që kryejnë. Unë jam e pafajshme, do mbroj veten," ka deklaruar ajo.

Skandali u bë publik ditën e djeshme pas dyshimeve të ngritura nga SPAK se në spitalin Onkologjik të QSUT-së bëhen pazare me jetët e pacientëve me kancer. Mjekë dhe punonjës të tjerë janë përfshirë në një skemë abuzive, ku dyshohet se pacientët e sëmurë me kancer nuk merrnin shërbim në spitalin shtetëror, por dërgoheshin në klinikat private dhe spitalet private ku punonin mjekët. Aty ata detyroheshin të paguanin shuma të mëdha për të marrë shërbimin e kimioterapisë apo operacione.

I dyshuar si i përfshirë është edhe kryeinfermieri i Onkologjikut, Afrim Ruçi, i cili bënte rolin e sekserit dhe ishte mënyra e komunikimit mes mjekëve, farmacive dhe pacientëve të ndryshëm, për të siguruar mjekimet e kimioterapisë.

Emrat e tjerë që dyshohet se janë të përfshirë janë Edmond Gashi (Mjek), Emiljano Lela (Koordinator), Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshe), Halil Gashi, Florian Marku dhe Drilona Kishta.
Postimi kaluar Postimi tjetër