Dogjani në Kuvend: Kryeministri Rama duhet të ndërhyjë për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e hapësirave publike në Tiranë

Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka dhënë arsyet pse ka thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama.

Ai u shpreh se në Tiranë janë zaptuar të gjitha hapësirat publike dhe kërkoi nga kryeministri që me autoritetin e tij të ndërhyjë për zbatimin e ligjit.

“Nuk është hera e parë që kryeministri nuk i përgjigjet kërkesave për interpelancë, duke përdorur parlamentin si bahçen e tij. E kuptoj që kryeministri është i stërfolur nga skandalet e përditshme dhe ka zgjedhur rrugën për t’u fshehur, por qytetarët e Tiranës kërkojnë të zbatohet ligji.

Në emër të banorëve të njësisë 9, kam denoncuar disa herë zaptimin dhe vjedhjen e pronës publike nga Ilirjan Cela dhe djali i tij që punon në doganën e Tiranës. Kam denoncuar mos sundimin e ligjit. I kam dorëzuar një dosje zv/kryeministres sesi vidhet prona publike, ish kopshti 33. Kam komunikuar me Ballën që ka parë vetë sesi përdoret në mënyrë të paligjshme, e destinuar për kopsht dhe lulishte.

Pas denoncimeve që kam bërë, jam informuar dhe nga qytetarë të tjerë që pothuajse në të gjithë Tiranën janë uzurpuar hapësirat publike. Kanë lënë vendin pa lulishte, ndaj përfundojnë në spital njerëzit me kancer. Mosfunksionimi i institucioneve ka bërë që të zgjidhen vetëgjyqësisht, ndaj kemi kaq vrasje.

Ne nuk po themi të marrim armët, por këtu gjërat do të zgjidhen vetëgjyqësisht. Mos hajdeni pastaj. Dua t’i them kryeministrit se deri tani nuk ka funksionuar asnjë institucion. Ndërhyni ndaj institucioneve që të reagojnë në kohë. Ndërhyni për zbatimin e ligjit, nuk kërkojmë asgjë tjetër,” tha Dogjani.
Postimi kaluar Postimi tjetër