Holanda fiton ndaj Polonisë në Euro 2024

Këtë të dielë, ishte radha e “tulipanëve” të zbrisnin në fushë për ndeshjen e parë të Euro 2024, përballë Polonisë. Të dyja kombëtaret kishin mungesa të rëndësishme për shkak të dëmtimeve. Holanda humbi mesfushorët e saj më të mirë, Frenkie de Jong dhe Teun Koopmeiners, si dhe sulmuesin Brian Brobbey, ndërsa Polonia humbi për dy ndeshjet e para Robert Lewandowskin dhe sulmuesin e Juventusit, Arkadiusz Milik. Në majën e sulmit për Poloninë ishte Adam Buksa, që luan në Superligën Turke. Ky sulmues e dërgoi Poloninë në avantazh në minutën e 16-të, me një goditje të saktë me kokë pas një harkimi nga këndorja.


Holanda nuk u panikua dhe kërkoi reagimin menjëherë, duke tentuar dy herë me sulmuesin e saj kryesor, Memphis Depay, por pa sukses. Megjithatë, ofensiva e “tulipanëve” u shpërblye në minutën e 29-të, kur një goditje e Cody Gakpo nga jashtë zone u devijua, për të përfunduar në rrjetë dhe duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi portierit të Juventusit, Wojciech Szczęsny.

Tre minuta nga fundi i pjesës së parë, Holanda i’u afrua golit të avantazhit kur Gakpo, nga fare pranë portës kundërshtare, nuk u koordinua si duhet pas një pasimi perfekt nga e majta, nga Nathan Aké.

Pjesa e dytë filloi me polakët më agresivë, të cilët shkuan pranë golit me Piotr Zielińskin. Në këtë pjesë, trajneri i “tulipanëve” aktivizoi sulmuesin Wout Weghorst dhe Donyell Malen. Ish-sulmuesi i Manchester United, Wout Weghorst, arriti të shënojë vetëm dy minuta pas hyrjes në lojë, duke përfituar nga një pakujdesi brenda zonës së polakëve dhe duke e dërguar topin në rrjetë.

Holanda mori tre pikët e para, në pritje të sfidës tjetër të Grupit D, asaj që do të luhet të hënën ndërmjet Austrisë dhe Francës.
Postimi kaluar Postimi tjetër