Fatmir Mediu diskuton me kongresmenët Amerikanë për kërcënimet në Ballkan nga Rusia dhe Kina

Deputeti Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane të Shqipërisë, gjatë vizitës së tij në Kongresin Amerikan, ka zhvilluar takime me disa kongresmenë demokratë dhe republikanë, si dhe me senatorin Joe Manchin. Kongresmenët përfshijnë Pete Sessions nga Texas, Tracy Mann nga Kansas, Ben Celine, Tim Walberg, Tom Suozzi, Jonathan Jackson dhe Robert Aderholt. Në këto takime, Mediu ka diskutuar mbi situatën në rajonin e Ballkanit, duke u përqendruar në ndërhyrjet e Rusisë dhe Kinës.

Mediu theksoi se kërcënimi kryesor për Ballkanin është korrupsioni dhe krimi i organizuar, mosfunksionimi i ligjit dhe institucioneve demokratike, si dhe mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai vuri në dukje se rikthimi tek ndarjet dhe retorikat nacionaliste, konfliktet e vjetra për qëllime pushteti dhe mungesa e reformave dhe zhvillimit ekonomik kanë krijuar terren të përshtatshëm për ndërhyrjet e aktorëve të tretë si Kina dhe Rusia.

Gjatë takimeve, është diskutuar edhe rreziku nga sjellja e Serbisë në përputhje me politikën e Rusisë, problemet në Bosnjë që rrjedhin nga kërkesa për shkëputje e Republikës Sërpska nga Federata e BiH dhe rreziqet që kjo situatë mbart. Gjithashtu, është theksuar nevoja për një ndërhyrje më aktive nga SHBA në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me synimin e njohjes reciproke të dy shteteve, si dhe për një bashkëpunim të fortë të SHBA-së me vendet e NATO-s në Ballkan për të parandaluar çdo konflikt të mundshëm.
Postimi kaluar Postimi tjetër