Liderët botërorë reagojnë pas tërheqjes së presidentit Biden nga gara për mandat të dytë

Pas njoftimit të Presidentit të SHBA, Joe Biden, për tërheqjen nga kandidimi për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, liderët botërorë kanë shprehur vlerësime për presidencën e tij 4-vjeçare.

Kancelari gjerman Olaf Scholz shkroi se Biden ka arritur shumë për vendin e tij, Evropën dhe botën. “Falë tij, bashkëpunimi transatlantik është i ngushtë, NATO është e fortë dhe SHBA-ja është një partner i besueshëm. Vendimi i tij për të mos kandiduar më meriton mirënjohje,” shkroi Scholz.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se respekton vendimin e Biden për të hequr dorë nga gara presidenciale. “E di se, siç ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij, presidenti Biden e ka marrë vendimin bazuar në atë që beson se është në interesin më të mirë të popullit amerikan,” shkroi Starmer.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau shkroi se Biden “është një njeri i shkëlqyer dhe gjithçka që bën udhëhiqet nga dashuria për vendin e tij. Si president, ai është një partner i kanadezëve dhe një mik i vërtetë.”

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez e cilësoi vendimin e Biden si të guximshëm dhe dinjitoz. “Falë vendosmërisë dhe udhëheqjes së tij, SHBA-ja tejkaloi krizën ekonomike pas pandemisë dhe sulmin serioz në Kapitol dhe u bë shembullore në mbështetjen për Ukrainën përballë agresionit rus. Një gjest i madh nga një president i madh që ka luftuar gjithmonë për demokraci dhe liri,” shkroi Sanchez.

Kryeministri polak Donald Tusk theksoi se Biden ka marrë vendime të vështira që kanë bërë Poloninë, Amerikën dhe botën më të sigurt dhe demokracinë dhe lirinë më të forta. “E di që jeni udhëhequr nga të njëjtat parime kur shpallët vendimin tuaj të fundit. Ndoshta më i vështiri në jetën tuaj,” shkroi Tusk.

Kryeministri i Çekisë Petr Fiala tha se ky është padyshim vendimi i një burrështetasi që i ka shërbyer vendit të tij për dekada. “Është një hap i përgjegjshëm dhe personalisht i vështirë, prandaj edhe shumë i vlefshëm. Po lutem që Shtetet e Bashkuara të fitojnë një president të mirë nga konkurrenca demokratike e dy kandidatëve të fortë dhe të barabartë.”

Kryeministri irlandez, Simon Harris, shkroi se “bota ka ndryshuar që nga fitorja e presidentit Biden në vitin 2020 dhe neve na është dashur të përballemi me sfida të jashtëzakonshme, nga një pandemi globale deri te kthimi i luftës në kontinentin e Evropës me agresionin e tmerrshëm të Rusisë në Ukrainë. Presidenti Biden ishte një zë i arsyes, multilateralizmit efektiv dhe zgjidhjeve të përbashkëta,” shkroi ai.

Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Stoere, tha se respekton vendimin e Biden për t’u tërhequr nga gara. “Joe Biden ka qenë një nga politikanët më të shquar të Amerikës gjatë disa dekadave dhe një president që ka kryer disa reforma të rëndësishme,” tha ai për kanalin televiziv kombëtar NRK.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se zgjedhjet amerikane do të mbahen pas katër muajsh dhe kjo “është një periudhë e gjatë kohore gjatë së cilës mund të ndryshojë shumëçka. Ne duhet të jemi të durueshëm dhe të monitorojmë me kujdes atë që ndodh. Përparësi për ne është operacioni i posaçëm ushtarak,” tha Peskov, duke iu referuar luftës në Ukrainë.
Postimi kaluar Postimi tjetër