Berisha reagoi ndaj arrestimit të Ilir Beqajt: Falënderojmë BE-në, por pse nuk u arrestua për vjedhjen e 300 milionë eurove?

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nga dritarja e banesës së tij lidhur me arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, për abuzimet me fondet e “SASPAK”, të siguruara si ndihmë nga BE.

Ish-kryeministri u shpreh me ironi falënderues ndaj Bashkimit Evropian për qëndrimin ndaj hajdutëve të parave të taksapaguesve evropianë. Duke iu referuar rastit të Beqajt, Berisha theksoi se ish-ministri u arrestua vetëm për vjedhjen e 125 mijë eurove të BE-së, ndërsa nuk u bë asgjë lidhur me akuzën e vjedhjes së 300 milionë eurove nga 3 koncesionet e shëndetësisë të firmosura prej tij.

“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestarëve të pamposhtur të çështjes së drejtë të çdo shqiptari. Oratorëve të kësaj platforme të parlamentit të lirisë, që me fjalët e tyre frymëzojnë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve për të vërtetën. Miqtë e mi, keni muaj që protestoni çdo natë dhe jeni shndërruar për shqiptarët në simbol të qëndresës së pamposhtur, në rreze shprese, në frymëzim për ata që nuk mund të pajtohen shpirtërisht, moralisht dhe ligjërisht me këtë regjim, i cili në mënyrën më të pamëshirshme zbrazi Shqipërinë.

Ky regjim vjedh ditë e natë shqiptarët dhe i zhyt gjithmonë e më shumë në varfëri dhe mjerim. Ju jeni frymëzim për ata që ëndërrojnë dhe besojnë në votën e lirë, si zemrën e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Të dashur miq, ju jeni frymëzim në një shoqëri ku drejtësia është shndërruar në vegël të kastës së hajdutëve që qeverisin vendin.

Sot, në një akt ndër më cinikët, një dëshmi flagrante e kontrollit të plotë të drejtësisë nga Edi Rama, në një akt të verbër dhe poshtërues për shqiptarët, drejtësia e partisë urdhëroi arrestimin e Ilir Beqajt sepse ai ka vjedhur dhe shpërdoruar 125 mijë euro fonde të BE-së. Me këtë rast, duhet të falënderojmë BE-në për qëndrimin ndaj hajdutëve të parave të tyre. Por miqtë e mi, Ilir Beqaj është në qeli sot pse ka vjedhur 125 mijë euro të taksapaguesve evropianë dhe nuk u arrestua kurrë për vjedhjen dhe shpërdorimin e 300 milionë eurove në 3 koncesionet e shëndetësisë që ka firmosur me dorën e tij të zezë,” tha Berisha.
Postimi kaluar Postimi tjetër